Site icon Telegrafi

Mini Shengeni ballkanik jofunksional pa të gjitha shtetet

Derisa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev mbështet nismën për Mini-Shengenin ballkanik, duke e vlerësuar si shumë të mirë për lëvizjen e njerëzve vetëm me letërnjoftime si dhe ofrimin e lehtësirave të shumta në fushën e transportit të mallrave, drejtues të institucioneve tjera thonë se kjo nismë nuk mund të ketë sukses nëse nuk do të përfshijë edhe shtetet tjera të Ballkanit.

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në fjalimin vjetor në Kuvend tha se “Mini-Shengeni” duhet të jetë i plotë me përfshirjen e të gjitha gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi të kundërtën kjo nismë nuk do të ketë sukses.

“I ashtuquajturi ‘Mini-Shengeni” ballkanik duhet të përbëhet nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm nga tri. Pra, kjo nismë që të jetë funksionale duhet të jetë i plotë, ndryshe nuk funksionon. Me këtë aleancë nuk kemi të bëjmë as me ‘Jugosllavinë e Madhe’ dhe as me ‘Shqipërinë e madhe’. Kanë kaluar ideologjitë e vjetra të shekullit të kaluar, këto duhet t’i arkivojmë. ‘Mini-Shengeni’ na duhet për të përmirësuar jetët tona në Ballkan dhe për të shuar përfundimit konfliktet”, ka deklaruar presidenti Pendarovski duke u angazhuar më tej në nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes shteteve dhe heqje dorë nga politikat e kaluara nacionaliste që kanë sjellë luftëra dhe tragjedi të shumta.

Lexo po ashtu Vuçiq në Tiranë për “Mini-Schengenin Ballkanik”: U pajtuam për shumë gjëra, në Janar takimi historik!

“Ballkanit nuk i duhen ideologjitë e shekullit të XIX dhe XX. Nëse vërtetë duam jetë më të mirë, atëherë duhet të bashkohemi sipas modelit të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore”, ka theksuar Pendarovski.

Edhe njohësit e çështjeve politike, thonë se nisma e “Mini-Shengenit”, nuk do të ketë sukses nëse nuk do të jetë e plotë.

Arsimi Sinani nga Qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, thotë se kreu i shtetit e ka të qartë se çdo nismë që do të përjashtonte apo nuk do të përfshinte të gjithë shqiptarët do të jetë e dështuar.

“Është një deklaratë realiste për shkak se Pendarovski është i vetëdijshëm për rolin e shqiptarëve në rajon, e kupton dhe mendon se duhet të jetë në këtë linjë, kjo është korrekte. Por, është e pa kuptueshme se si nga ideja e Evropës e anëtarësimit në BE, në përfundojmë në grackat e doktrinës së (Nikolla) Pashiqit apo të (Ilija) Garashaninit andaj mendoj se kjo nismë paraqet një gabim strategjik”, thotë Sinani, duke theksuar se spektri i politikës kosovare si asnjëherë më parë është unik sa i përket nismës dhe se këtë sipas tij duhet të kenë të qartë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, se vështirë që kjo nismë do të jetësohet edhe për faktin tjetër të hezitimit edhe nga dy vendet tjera, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Nuk shoh se Kosova as që do të tentojë, bile për herë të parë po shihet se në rastin e kësaj nisme fatkeqe, për herë të parë i gjithë spektri politik i Kosovës, që është i polarizuar, është unik”, thotë Arsimi Sinani nga Qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, duke shtuar se pa njohjen e Kosovës nga Serbia, nismat e tilla vështirë se do të mund të jenë funksionale.

Ndërkohë, partitë politike thonë se mbështesin çdo nismë rajonale që ka për qëllimin afrimin e shteteve dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, por sipas tyre prioritet kryesore duhet të mbetet angazhimi për anëtarësimin e tyre në strukturat euroatlantike. /rel/Telegrafi/

Exit mobile version