Telegrafi

Mina me telekomandë dhe drogë në banesë, arrestohen babë e bir në Shkodër

Një operacion i gjerë policor në Shqipëri i titulluar “Qarku” është finalizuar në fazën e tij të tetë.

Sipas njoftimit të policisë, tetë banesa në lagje të ndryshme të Shkodrës janë kontrolluar.

Babë e bir u arrestuan në flagrancë, ndërsa djali tjetër me iniciale G.K, 16 vjeç u procedua në gjendje të lirë për shkak të moshës.

Në banesën e tyre u gjetën 3 mina me telekomandë, të lidhura me telefon, 8 kallëpe tritoli C4, gati për përdorim, me peshë totale 1 kilogramë e 600 gramë, kapsolla detonatore të lidhura me tela, të gatshme për përdorim, 1 armë gjahu (shotgun) me 2 gjerdanë dhe 50 fishekë, 1 radio si ato të Policisë, 1 aparat për bllokimin e valëve, 3 aparate celulare dhe 1 armë sportive.

Banesa e shtetasit me iniciale C.M. u kontrollua gjithashtu. Prej moshës së madhe ai u procedua penalisht, ndërsa djali i tij nuk ishte në banesë në momentin e kontrollit dhe është shpallur në kërkim.

Gjithsej, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesa, në kuadër të fazës së 8-të të këtij megaoperacioni u sekestruan: 2 armë zjarri, 3 mina me telekomandë, 1 kilogramë e 600 gramë lëndë eksplozive C4, 2 armë gjahu, 1 armë sportive, 1 bllokues valësh, 2 radio si të Policisë dhe fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, pasi dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë në qarkun Shkodër, por jo vetëm, raporton policia. /Telegrafi/