Telegrafi

Milot Rashica shkëlqen në fitoren e thellë të Galatasarayt, vendimtar në dy gola

Galatasaray mori një fitore të madhe si mysafir ndaj Basaksehir me rezultat 7-0.

Para takimit të dy skuadrat kishin pikë të barabarta dhe pritej ndeshje e fortë, por Galata arriti ta shkatërrojë rivalin lokal.

Milot Rashica luajti nga minuta e parë dhe shkëlqeu në këtë takim, duke qenë vendimtar në dy prej golave.

Zhvillohej minuta e katërt e kohës shtesë të pjesës së parë kur Rashica tentoi të harkojë, por topi u devijuan nga Youssouf Ndayishimiye për të përfunduar në rrjetë.

Ky ishte goli për 3-0 pasi më parë kishin shënuar Kerem Akturkoglu dhe Mauro Icardi.

Sulmuesi ynë dhuroi edhe një asistim në minutën e 65-të, kur pason bukur topin te Dries Mertens i cili gjuan dhe shënon për 5-0.

Në fund takimi u mbyll 7-0 dhe Galatasaray kaloi në vendin e dytë në renditje me 27 pikë, dy më pak se lideri Fenerbahce. /Telegrafi/