Kryetari i Federatës i Futbollit i Kosovës, Agim Ademi ka konfirmuar mungesën e Milot Rashicës në ndeshjen e sotme (e hënë) të Kosovës ndaj Bjellorusisë.
Kosova do të luajë ndaj Bjellorusisë ndeshjen e vlefshme për Grupin I në eliminatoret e Euro 2024.
Ky takim do të zhvillohet në Hungari, me fillim nga ora 20:45 në Szusza Ferenc Stadion (Budapest).
Përzgjedhësi Alain Giressë në këtë ndeshje duhet të bëjë pa sulmuesin vushtrrias, Rashica, i cili është lënduar në ndeshjen ndaj Rumanisë.
Rashica u detyrua ta lëshoj fushën mes pjesëve shkaku i lëndimit dhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka konfirmuar se do të mungoj ndaj Bjellorusisë.
“Lëndimi i pësuar në ndeshjen kundër Rumanisë ia pamundëson të luajë sonte përballë Bjellorusisë, por Milot Rashica do të jetë në përkrahje të fuqishme të bashkëlojtarëve. Sonte bashkë jemi tifozë Dardanë!”, ka shkruar Ademi në profilin e tij.
Në vend të Rashicës, nga minuta e parë pritet të rikthehet Edon Zhegrova i cili shkëlqeu në pjesën e dytë ndaj Rumanisë. /Telegrafi/