Ish Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo ka komentuar deklaratën e zëdhënëses së përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini, sipas të cilës Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.
“Është element i një projekti B, nëse dështon projekti i ndryshimit të kufijve, për të cilin po flitet kaq shumë. Pra Trepça është një element që shtohet në favor të Serbisë”, u shpreh Milo në RTSH.
Ndërsa ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, ku ka ndërmjetësuar Mogherini e sheh si dështim të BE-së.
Çejku komentoi edhe deklaratën për Trepçën.
“Nuk është deklaratë e papjekur në qiell të hapur. Është një strategji për të parë se si do të jetë reagimi në Kosovë. Dhe më vjen mirë që reagimi ka qenë shumë i ashpër. Kur për një pjesë të vogël, si Trepça, ka këtë reagim, si do të jetë reagimi për një territor më të madh”, tha Çejku në RTSH.
Ndërsa ish Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi e sheh të rrezikshme idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Ky është projekt rus dhe serb. U propozua nga shqiptarët, se ndryshe nuk do të pranohej. Por nuk i shërben as shqiptarëve, as rajonit. E mbështet vetëm Thaçi e Rama”, tha Bumçi.
Kundër shkëmbimit të territoreve u shpreh edhe Arbër Zaimi i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është mashtrim që copëtimi i Kosovës do të çojë në pajtim. Shqiptarët duhet ta ruajnë territorin dhe integritetin e Kosovës”, tha ai. /Telegrafi/