Site icon Telegrafi

Milloshoski: Do të ishte naive të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe të marrim edhe një premtim të parealizuar

Deputeti i OBRM-PDUKM-së, Antonio Milloshoski, vlerëson se në Maqedoni ka zhgënjim të arsyeshëm me qëndrimin e BE-së ndaj integrimit të saj.

I pyetur se çfarë garancie mund të kërkojë kryeministri Mickoski nga Sofja, Brukseli dhe Uashingtoni për integrimet evropiane, Milloshoski theksoi se nuk është vetëm se si do të fillojë procesi negociator, por edhe fundi dhe qëllimi i atij procesi janë shumë të rëndësishme.

“Angazhimi i ndërmarrë nga qeveria e kaluar, nëse ekziston mundësia për ta menaxhuar, do të ishte racionale të menaxhohej me largpamësi në rrugën drejt qëllimit final, që është integrimi evropian. Në Maqedoni ka një zhgënjim të justifikuar realisht me qëndrimin e BE-së. Ne kemi pasur një herë ndryshime kushtetuese për emrin dhe përvojat e këqija janë argumente mjaft të forta që Maqedonia të kërkojë me të drejtë njëfarë sigurie në rrugën drejt BE-së, sepse shohim që BE-ja nuk flet me një zë. Nuk ka një vizion serioz për Ballkanin Perëndimor dhe kohëzgjatjen e anëtarësimit dhe zgjerimit të këtyre vendeve”, tha Milloshoski.

Sipas tij, do të ishte naive, siç tha ai, “të bëheshin ndryshime kushtetuese për të na dhënë një tjetër premtim të parealizuar”.

“Maqedonia ka bërë disa herë ndryshime kushtetuese dhe BE-ja premtoi se do ta afrojnë Maqedoninë drejt negociatave për anëtarësim, por është e qartë se nuk i ka përmbushur premtimet. Unë besoj se veprimi i vonuar është një argument racional që mund të jetë një nxitje për Maqedoninë që të integrohet, që Bullgaria të mos e bllokojë atë dhe që BE-ja ta menaxhojë atë proces deri në qëllimin përfundimtar”, tha Milloshoski.

Deputeti i OBRM-PDUKM-së thekson se BE-ja në dhjetë vitet e fundit nuk ka pasur vizion serioz për zgjerim. Kjo, siç thekson ai, është kthyer në një frazë të përsëritur shpesh, por në realitet nuk ka vendime serioze gjeopolitike që do të nënkuptonin zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Exit mobile version