Telegrafi

Milloshoski: Persona nga Kërçova kanë paguar 4 mijë euro që të punësohen

Diskutimi në Kuvend për ligjin për gjuhët edhe sot vazhdoi me akuza dhe kundërakuza mes ish-partnerëve të koalicionit OBRM-PDUKM dhe BDI.

Deputeti i OBRM-PDUKM-së, Antonio Milloshoski, përsëri akuzoi kryetarët e komunave të BDI-së për korrupsion, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në Komunën e Çairit, njerëz të afërt me kryetarin Izet Mexhiti me vite nuk kanë shkuar në punë, ndërsa kanë marrë rroga. Pse qytetarët të paguajnë që ata të qëndrojnë në shtëpi. E di se edhe persona nga Kërçova, kanë paguar 4 mijë euro që të punësohen si shqiptarë”, tha Milloshoski.

Në akuzat e Milloshoskit u përgjigj deputeti i BDI-së, Ejup Alimi, i cili tha se për pesë vite sa ka qenë në pushtet Milloshoski vetëm është pasuruar, madje ka blerë edhe aeroplan privat.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, edhe këtë herë i tërhoqi vërejtjen Milloshoskit që të mos keqpërdorë foltoren dhe të mos flasë jashtë temës.

Ndryshe, ka paralajmërime që deputetët të vazhdojnë me punën edhe pas orës 18 pasi pritet që deri në mbrëmje të përfundojë debati për propozim-ligjin për gjuhët në lexim të parë./Telegrafi/