Telegrafi

Milloshoski: Nëse kjo është ditë historike, le ta ftojnë popullin për të festuar

“Nëse kjo sot është ditë historike, pasi të kthehen nga Brukseli kryeministri Kovaçevski, Osmani dhe Mariçiqi, le të shkojnë në shesh dhe le ta ftojnë popullin për të festuar bashkë, e jo të shkojnë në Klubin e deputetëve në festë të mbyllur”.

Këtë e deklaroi sot deputeti i OBRM-PDUKM-së Antonio Milloshoski, pas ngjarjes në Bruksel, ku Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht i hapi negociatat me Bashkimin Evropian. Sipas Milloshoskit, shihet se zyrtarët e Qeverisë janë të turpëruar nga ajo që e bëjnë.

“Sot në Bruksel kemi dy vende, njëra prej të cilave Shqipëria do të nisë realisht negociatat duke hapur konferencë të vërtetë ndërqeveritare dhe Maqedonia që do të hajë një drekë formale dhe një foto dhe nuk do të fillojë negociatat, por do të kthehet në shtëpi për të përmbushur shantazhin dhe kërkesat nga Bullgaria si parakusht për fillimin e negociatave me BE-në pas një viti, dy apo më vonë”, tha Milloshoski.

Lexo po ashtu Kovaçevski në Bruksel: Maqedonia e Veriut i takon familjes evropiane, jemi të lumtur për hapjen e negociatave

Shteti, sipas Milloshoskit, nga sot e tutje po hyn në një labirint ku historia dhe e kaluara do të jenë shumë më të rëndësishme se e tashmja, e ardhmja dhe standardet evropiane si për çdo vend normal që aspiron anëtarësimin në BE.

“Prandaj mendoj se fotografia nga Brukseli do të na shërbejë për të njohur të paaftët në Maqedoni dhe ata që janë të aftë në fqinjësi. Dhe këto fotografi do të jenë shumë të mira që brezat të kujtojnë se cilët njerëz për një karrierë politike afatshkurtër vendosën të luajnë me vetëdije rolin e tradhtarëve”, tha Milloshoski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Milloshoski tha se Kushtetuta nuk do të ndryshohet./Telegrafi/