Telegrafi

Millkov: Bullgarisë i duhet partneritet me shtetin e Maqedonisë, jo vetëm me dy parti që nënshkruajnë ligje

“Shpresoj se i njëjti proces konsolidimi do të zbatohet edhe në Maqedoni në kuptimin e asaj që ne mund të bëjmë në kuptimin pozitiv, sepse për fat të keq, përderisa ne disi kemi një lloj konsensusi kombëtar për Maqedoninë, ata nuk e shohin të njejtën shumë qartë. Është një palë që është e hapur për dialog me Bullgarinë, sado e vështirë të jetë, dhe një tjetër që është kundër. Do të jetë shumë më e lehtë për ne nëse do të arrijmë të kemi partner shtetin, dhe jo partitë individuale, sepse aty ekziston rreziku i keqkuptimeve”, këtë, ndër të tjera, e deklaroi ministri teknik i punëve të jashmte në qeverinë bullgare, Nikollaj Millkov, në takimin e tij të parë zyrtar me gazetarët në Sofje, ku promovoi prioritetet e politikës së jashtme të shtetit.

Me këtë, Nikollaj Millkov, i cili në kryesinë ministrore erdhi nga pozita e ambasadorit në Paris, që do të thotë se ishte një nga pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në negociatat për propozimin francez, pranoi hapur se procesi i negociatave nga pala maqedonase po zhvillohet së bashku, në linja partiake dhe jo shtetërore!

Ai tha se për Bullgarinë është e papranueshme që vetëm LSDM dhe BDI të qëndrojnë pas nënshkrimeve dhe pranimit të propozimit francez, si bartës të pushtetit në Maqedoni.

Prandaj edhe përkushtimi i Millkovit për ndryshimin e situatës është që të kenë partner shtetin e Maqedonisë.

Sipas tij, kjo shpie në nevojën e arritjes së një konsensusi të përgjithshëm politik në vend, gjë që nuk ka gjasa momentalisht të arrihet, duke pasur parasysh qëndrimin e OBRM-PDUKM-së për ndryshimin e Kushtetutës dhe futjen e bullgarëve në të si popull përbërës.