Telegrafi

Milik plaçkitet në rrugët e Napolit pas fitores ndaj Liverpoolit

Sulmuesi i Napolit, Arkadiusz Milik thuhet se u grabit me armë në rrugën e tij për në shtëpi pas fitores ndaj Liverpoolit.

Napoli siguroi një fitore minimale 1-0 ndaj finalistëve të Ligës së Kampionëve të sezonit të kaluar, me golin e shënuar nga Lorenzo Insigne.

Në këtë ndeshje për 68 minuta luajti edhe sulmuesi polak, Milik.

Lexo po ashtu Napoli e mund Liverpoolin në frymën e fundit

Sipas mediumit Il Mattino, sulmuesi i Napolit ishte në makinën e tij duke shkuar në shtëpi në orën 2 pas mesnate, kur ai u ndal në Varcaturo nga një motor që ia bllokoi rrugën.

Një nga dy njerëzit në motor iu afrua makinës dhe vuri armën në kokën e Milikit.

Milik në aksion gjatë ndeshjes me Liverpoolin (Photo by Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

Kështu, sulmuesi polak u urdhërua që të dorëzonte një orë Rolex Daytona në vlerën e 20 mijë eurove.

Të dy grabitësit i kishin fytyrat e tyre të maskuara nga helmetat, ndërsa ikën në drejtim të Licolas.

Policia po heton rasti dhe ende nuk ka dalë me ndonjë komunikatë. /Telegrafi/