Një nga familjet më të pasura të Francës iu është përgjigjur menjëherë thirrjeve të presidentit të vendit për të ndihmuar në rindërtimin e katedrales dhe ka premtuar 100 milionë euro për të rindërtuar ikonën e Parisit.
“Babai dhe unë vendosëm që menjëherë të nxjerrim nga fondet e Artemis një shumë prej 100 milionë euro për të marrë pjesë në përpjekjet që do të jenë të nevojshme për rindërtimin e plotë të Notre Dame”, tha François-Henri Pinault, në një deklaratë të cituar nga Le Figaro dhe media të tjera franceze, përcjell Telegrafi.
I riu z. Pinault është kryetari dhe drejtori ekzekutiv i grupit Kering, i cili kontrollon markat e tilla luksoze si Gucci dhe Saint Laurent.
Ai gjithashtu është president i Groupe Artemis, kompani franceze që zotëron shtëpinë e ankandit Christie.
La famille Pinault débloque 100 millions d’euros pour Notre-Dame de Paris (François-Henri Pinault à l’AFP)
— William Plummer (@PlummerWilliam) April 15, 2019
Ndërsa zjarri përfshiu të hënën në mbrëmje simbolin shekullor, presidenti francez Emmanuel Macron premtoi një fushatë kombëtare për mbledhjen e fondeve.
“Ne do ta rindërtojmë”, tha ai. “Ne do të rindërtojmë Notre Dame sepse kjo është ajo që presin francezët, sepse kjo është ajo që meriton historia jonë, sepse është fati ynë”.
Ndryshe, i riu z. Pinault është i martuar me aktoren e njohur, Salma Hayek.
Katedralja e Parisit, Notre Dame, e cila është përfshirë nga zjarri ku si pasojë është shembur çatia, konsiderohet si një nga shembujt më të mirë të arkitekturës gotike të Francës.
Ndërtimi i saj kishte filluar në vitin 1160, kurse pjesa më e madhe e saj kishte përfunduar saktësisht 100 vite më vonë.
Vetë kisha nga proporcione impozante, në veçanti në kohën kur ishte ndërtuar – ajo është e lartë 128 metra, e gjerë 48 kurse kullat e kambanave janë 69 metra të larta. /Telegrafi/