Milani ka ambicie të mëdha në afatin kalimtar të verës, në synimin për të zvogëluar diferencën me rivalin lokal, Inter, për t’u kthyer në garën për titullin kampion në edicionin e ri.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, francezi Olivier Giroud është pranë transferimit te skuadra amerikane Los Angeles FC dhe për këtë arsye “kuqezinjtë” po ndjekin disa profile të ndryshme, teksa në krye të listës është ylli i Bolognas, Joshua Zirkzee.
“Calciomercato” ka bërë të ditur që Milani do të ketë një buxhet prej 40 deri në 50 milionë euro për sulmuesin e ri por megjithatë për të sjellë Zirkzeen në “San Siro” do të duhej një sakrificë më e madhe financiare.
Alternativat tjera për sulmin e skuadrës nga qyteti i modës janë Serhou Guirassy i Stuttgartit, Jonathan David i Lille dhe Benjamin Sesko i Leipzigut, mirëpo dëshira kryesore mbetet holandezi i Bolognas.
Numri 9 i bolonjezëve ka shënuar 10 gola dhe ka bërë katër asistime në 27 paraqitjet kampionale këtë edicion, duke qenë futbollisti kryesor në shkëlqimin e ekipit nga “Renato Dall’Ara”.
Për këtë arsye në garë për shërbimet e tij janë edhe klube tjera të njohura evropiane si Bayern Munchen, Manchester United apo Arsenal. /Telegrafi/