Site icon Telegrafi

Milani do ta ndryshojë strategjinë e transferimeve pas lëndimit të Kjaer

(Foto: Twitter/CalcioMercato)

Simon Kjaer do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike nesër (e premte) dhe mungesa e tij pritet të jetë afatgjate.

Danezi e lëndoi gjurin në ndeshjen ndërmjet Milanit dhe Genoas të mërkurën mbrëma dhe duhet të operohet për ta korrigjuar problemin.

Mungesa e tij e detyron klubin që të transferojë një mbrojtës të ri gjatë afatit kalimtar të janarit.

(Foto: Football Italia)

Rossonerët akoma nuk kanë bërë një njoftim zyrtar për kohëzgjatjen e mungesës së tij, por pritet të jetë afatgjate.

Lexo po ashtu Kjaer pritet të operohet të premten

Drejtori i Milanit, Paolo Maldini, deklaroi të hënën se klubi nuk ka planifikuar të sjellë emra të rinj në janar, por ky plan pritet të ndryshojë.

Milani e ka vetëm Fikayo Tomori, Alessio Romagnoli e Matteo Gabbia, në fazën defensive, prandaj në janar duhet të sjellë një emër të ri.

Sipas Calciomercato.com, Gleison Bremer (Torino) është në krye të listës, ndërsa pasohet nga Benoit Badiashile (Monaco), Facundo Medina (Lens) e Caleb Okoli (Cremonese), si dhe opsion është kthimi i Mattia Caldaras nga huazimi te Venezia. /Telegrafi/

Exit mobile version