Telegrafi

Milani shkatërron Lazion, në gjysmëfinale të Kupës së Italisë do të kemi ‘Derby della Madonnina’

Milani ka shënuar fitore me rezultat të thellë prej 4-0 ndaj Lazios në kuadër të çerekfinales së Kupës së Italisë.

Ndeshja nisi më Milanin që ishte më kërkues dhe kjo iu shpërblye në minutën e 24-të.

Rafael Leao ishte ai që hapi ndeshjen me një gol të shënuar me një goditje nga brenda zonës për 1-0.

Në minutën e 41-të Milani shtoi epërsinë, kur Brahim Diaz asistoi te Olivier Giroud që shënoi për 2-0.

Pas pesë minutash në fundin e pjesës së parë kuqezinjtë mbyllën ndeshjen, ku sërish shënoi francezi Giroud për 3-0.

Pjesa e dytë nuk solli edhe aq raste pasi që fituesi tashmë dihej.

Milani shënoi edhe një herë në minutën e 79-të me Frank Kessien për të mbyllur ndeshjen me rezultatin 4-0.

Milani në gjysmëfinale do të takohet me Interin që mposhti Romën ditë më parë./Telegrafi/