Telegrafi

Milani po tenton ta bind Leaon për kontratë të re, por paga e ofruar është shumë e ulët

Rafael Leao është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme këtë edicion.

Sulmuesi portugez ka qenë më meritori që Milani fitoi titullin e kampionit vitin e kaluar, derisa formën e mrekullueshme e ka vazhduar edhe këtë vit.

23-vjeçari ka kontratë me Rossonerët deri në verën e vitit 2024, derisa drejtuesit e kuqezinjve po mendojnë t’ia vazhdojnë atë.

Leao aktualisht fiton një pagë prej 1,4 milionë eurove në sezon, derisa Milan po mendon t’i ofrojë katër milionë euro me kontratë të re.

Por përkundër se është mirë në Milan, vështirë se Leao do ta vazhdoj kontratën me këtë pagë pasi skuadrat e interesuara janë gati t’i ofrojnë shumë më shumë.

Chelsea, PSG, Liverpool e Manchester United janë të gatshme t’i ofrojnë deri në tetë milionë euro Leaos nëse ky i fundi pranon transferimin tek ndonjëra prej këtyre klubeve.

Kjo shumë është jashtëzakonisht shumë për Milanin që ka ulur ndjeshëm pagat.

Gjithsesi nëse nuk rinovon kontratën me Milanin, atëherë Rossonerët do ta shesin portugezin në verë dhe synojnë të përfitojnë mbi 100 milionë euro nga largimi i tij.

Leao këtë edicion është fantastik, ku në tetë ndeshje mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve ka shënuar tre gola dhe ka asistuar në gjashtë të tjerë. /Telegrafi/