Talenti i Kosovës, Edon Zhegrova, është duke u monitoruar nga klubi i madh italian, Milan.
Sportmediaset bën të ditur se Rossonerët i kanë dërguar zbuluesit e talentëve për ta monitoruar te Genku.
Në ndërkohë, drejtori sportiv, Leonardo, është duke e shqyrtuar talentin e 19-vjeçarit dhe mundësitë për të bërë ndonjë ofertë në të ardhmen.
Pseudonimi i tij sugjeron një talent të madh: “Messi i Kosovës” – shkruan Sportmediaset.
Kujtojmë që klubi italian e ka pasur mundësinë në të kaluarën që ta përfshijë Zhegrovën në Akademinë e vet.
Si 12-vjeçar, ai ishte zgjedhur lojtari më i mirë në kampin e mbajtur nga Milani në Kosovë, ku edhe përkundër që kishte kundërshtarë më të mëdhenj, Edoni kishte shënuar gola dhe kishte vendosur ndeshje.
Mesfushori ofensiv, si fëmijë ka kaluar nëpër grupmoshat e Flamurtarit dhe Prishtinës, ndërsa në vitin 2015 ishte angazhuar në Belgjikë te Standard Liege dhe Sint-Truidense.
Në mars të vitit 2017, Zhegrova iu bashkua Genkut, klub me të cilin debutoi si zëvendësues në shtator të atij viti kundër Genkut.
Nga viti 2018, ai është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, me të cilën ka debutuar më 24 mars të atij viti në ndeshjen miqësore kundër Madagaskarit. /Telegrafi/