Site icon Telegrafi

Milani përfundoi afatin e çmendur kalimtar duke marrë katër përforcime në ditën e fundit

Afati i transferimeve të dimrit nuk ka qenë asnjëherë më emocionues për tifozët e Milanit dhe në ditën e fundit janë sjellë katër përforcime, ndërsa ka pasur edhe shumë largime.

Në fillim të afatit kalimtar, Milani solli veteranin Kyle Walker nga Manchester City, por ai tashmë tregoi në ndeshjen e parë dhe derbin kundër Interit se mund të jetë një përforcim serioz në Serie A.

Megjithatë, për emocionet më të mëdha iu desh të presin deri në ditën e fundit të afatit kalimtar. Kuqezinjtë sollën Santiago Gimenez mëngjesin e së hënës, një nënshkrim prej 35 milionë euro që duhet të mbajë sulmin e Milanit për vitet në vijim.

Pas Gimenezit, mbrëmë vonë u prezantuan edhe Warren Bondo dhe Riccardo Sottil, blerje që vijnë brenda kampionatit italian, Serie A.

 

Bondo është një mesfushor qendror që ka ardhur për 10 milionë euro nga Monza, ndërsa Riccardo Sottil është një anësor i ardhur nga Fiorentina në formë huazimi me opsion blerjeje.

“Bomba” e vërtetë është nënshkrimi i Joao Felix. Sulmuesi portugez, dikur një nga lojtarët më të shtrenjtë në botë, mbërriti në formë huazimi nga Chelsea pa mundësi blerjeje. Megjithatë, nëse ai bën përshtypje në San Siro, të dy skuadrat do të ulen gjatë verës dhe do të diskutojnë një blerje.

 

Kështu, Gimenez, Sottil, Bondo dhe Felix iu bashkuan Walker për gjithsej pesë nënshkrime për Milanin në një afat të paprecedentë transferimesh.

Në të njëjtën kohë, në ditën e fundit të afatit kalimtar, Ismael Bennacer kaloi në Marseille, Noah Okafor (Napoli) dhe Kevin Zeroli (Monza) u larguan nga San Siro. /Telegrafi/

Exit mobile version