Trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini, është opsioni kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës Milanit nga sezoni i ardhshëm – bën të ditur Corriere dello Sport.
Rossonerët e shkarkuan Vincenzo Montellan këtë edicion dhe e angazhuan Gennaro Gattuson, mirëpo tashmë po mendojnë për trajnerin e ardhshëm.
Antonio Conte (Chelsea) dhe Roberto Mancini (Zenit St Petersburgu) janë përmendur si kandidatë të mundshëm.
Mirëpo, tash Corriere dello Sport e ka përmendur emrin e Gasperinit, si opsion më të mundshëm.
Në sezonin e kaluar, ai arriti ta poziciononte Atalantan në vend të katërt në Serie A, pastaj e kryesuan grupin në Europa League dhe kanë arritur në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ku do të luajnë kundër Juventusit.
Milani tashmë i ka angazhuar disa futbollistë nga Atalanta, si Franck Kessie e Andrea Conti, karrierat e të cilëve nisën pikërisht nën urdhrat e Gasperinit.
Nëse merr drejtimin e Rossonerëve, do të ishte një rikthim i trajnerit në Milano, ku në vitin 2011 e drejtoi Interin. /Telegrafi/