Telegrafi

Milani fiton në fund trilerin e rikthimeve ndaj Udineses

AC Milan - Udinese (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Milani ka arritur në fund të marrë një fitore shumë të madhe 3-2 ndaj Udineses në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të në Serie A.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të kuqezinjve, por ishin vetëm mysafirët që gjetën golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e gjashtë dhe ishte Jens Stryger Larsen, i cili shënoi për 0-1 pas një gabimi amator të Gianluigi Donnarummas.

Lexo po ashtu Donnarumma me gafë amatore ndaj Udineses, dështon në dalje dhe pranon gol

Milani pati raste të mira me Zlatan Ibrahimovic (36’) dhe Rafael Leao (45’), por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat.

Në pjesën e dytë, Milani përsëri ishte më e mirë nga loja, teksa arriti t’i konkretizojë edhe rastet dhe të fitojë në fund ndeshjen.

Ante Rebic (48’) arriti të shënojë golin e barazimit 1-1 pas vetëm tri minutave të inkuadrimit në lojë.

Momenti i golit nga Rebic (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Pas këtij goli, Milani mori lojën në dorë dhe pas disa raste të krijuara arriti të gjej edhe golin e dytë me anë të Theo Hernandez (71’), i cili shënoi një supergol për 2-1.

Pas këtij goli mysafirët u rikthyen duke shënuar me anë të Kevin Lasagna (85’) për 2-2, ndërsa Rebic ishte heroi i Milanit duke shënuar në fund për rezultatin përfundimtar 3-2.

Pas kësaj fitore, Milani e sheh veten në pozitën e tetë me 28 pikë, ndërsa Udinese renditet e 13-ta me 24 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Rossonerët udhëtojnë te Brescia, ndërsa Udinese udhëton te Parma. /Telegrafi/