Site icon Telegrafi

Milani fiton dramën e golave ndaj Spalit, por Atalanta kualifikohet në Ligën e Kampionëve

Reagimi i Gennaro Gattuso në ndeshjen ndaj Spalit (Foto: Tullio M. Puglia/Getty Images/Guliver)

Me rezultat 3-2, Milani e ka fituar ndeshjen e fundit sezonale si mysafir i Spalit, mirëpo nuk ka arritur të kualifikohet në Ligën e Kampionëve, pasi që Atalanta dhe Interi i kanë fituar ndeshjet e tyre dhe kanë mbyllur sezonin në zonën që dërgon në garën më të madhe evropiane për klube.

Hakan Calhanoglu (18′) e hapi serinë e golave pas asistimit nga Franck Kessie, i cili pesë minuta më pas e dyfishoi epërsinë (23′).

Francesco Vicari e ngushtoi rezultatin (28′) dhe me epërsi minimale të Rossonerëve, skuadrat shkuan në pushim.

Një çast shprese për Milanin që në fund mbeti jashtë top-katërshes (Foto: Tullio M. Puglia/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, vendasit e barazuan rezultatin me golin e Mohamed Fares (53′) duke e vënë në vështirësi skuadrën mysafire.

Megjithatë, në minutën e 66-të u akordua penallti në favor të Milanit dhe Franck Kessie ishte i saktë nga pika e bardhë për ta rikthyer epërsinë.

Atalanta e Berat Gjimshitit do të luajë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm (Foto: Alessandro Sabattini/Getty Images/Guliver)

Në ndeshjen tjetër, të rëndësishme për zonën e Ligës së Kampionëve, Atalanta e ka mposhtur Sassuolon me rezultat 3-1.

Domenico Berardi shënoi i pari për mysafirët (19′), mirëpo vendasit përmbysën gjithçka në vazhdim me golat e Duvan Zapata (35′), Papu Gomez (53′) dhe Mario Pasalic (65′).

Falë kësaj fitoreje, Atalanta e ka siguruar vendin e tretë në tabelë dhe kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve. Ndërkaq, Milani ka mbetur jashtë top-katërshes dhe në edicionin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Evropës. /Telegrafi/

Exit mobile version