Interi dhe Milani kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t’u paraqitur me një projekt të ri në Komunën e Milanos, në lidhje me ndërtimin e një stadiumi të ri.
Stadiumi i ri që do të jetë në bashkëpronësi të dy klubeve, do të fillojë të ndërtohet në zonën e parkingut të stadiumit aktual dhe në rastin më të mirë, pritet të përfundojë në mes të sezonit 2022/23.
“Jemi duke punuar për këtë ide në bashkëpunim të plotë me Milanin, duke pasur parasysh që stadiumet janë esenciale në procesin e rritjes së klubeve”.
“Kemi ende disa detaje të vogla për të punuar, por kohët janë pjekur dhe së shpejti do t’i çojmë Komunës një propozim konkret, për të ndërtuar një stadium të denjë për qytetin e Milanos dhe vetë dy skuadrat”, ka thënë administratori i Interit, Alessandro Antonello.
Stadiumi aktual nuk do të rrënohet dhe do të përdoret deri sa të përfundojë i riu.
“San Siro” është hapur në shtator të vitit 1926 dhe është një nga stadiumet që njihet për historinë e arkitekturën që ka, cilësohet si mitik dhe unik në botë.
Ai njihet si “La Scala” e futbollit. /Telegrafi/