Sipas La Gazzetta dello Sport, projekti i “Katedrales” i miratuar në fund të vitit 2021 është anuluar, kështu që Milani dhe Interi po kërkojnë një zonë të re për të ndërtuar stadiumin e tyre dhe mund të lëvizin jashtë Milanos.
Klubet milaneze dhe kryetari i bashkisë së Milanos kishin miratuar një projekt në dhjetor. Nerazzurët dhe Rossonerët duhej të kishin stadiumin e tyre të ri në zonën e San Siros në vitin 2027.
Koncepti ishte hartuar nga Populous, i njëjti grup që projektoi stadiumin Tottenham Hotspur në Londër.
Megjithatë, sipas La Gazzetta dello Sport, ai projekt nuk është më i vlefshëm. Protestat nga ambientalistët dhe banorët e bindën kryebashkiakun e Milanos, Beppe Sala të nxiste një debat publik mbi këtë çështje. Kjo do t’i detyronte klubet të shpenzonin më shumë para për një projekt të ri, duke e bërë procesin edhe më të gjatë.
“Katedralja” ishte menduar të ndërtohej në zonën e San Siros, pranë Stadio Meazza, por tani Interi dhe Milani po mendojnë të largohen nga Milano.
Sipas raportimit, Nerazzurët dhe kuqezinjtë po mendojnë të ndërtojnë një stadium të ri në Sesto San Giovanni, pak jashtë kryeqytetit të Lombardisë.
Ndërtimi i një stadiumi të ri është një nga objektivat kryesore si të Elliott ashtu edhe të familjes Zhang, të cilët tani duhet të nisin një projekt të ri nga e para. /Telegrafi/
Inter e Milan pronte a costruire una nuova casa lontano da #SanSiro https://t.co/6tR4bHkAFx
— La Gazzetta dello Sport (@Gazzetta_it) March 28, 2022