Site icon Telegrafi

Milani assesi të këndellet, mposhtet në San Siro nga Atalanta (Video)

Milani ka humbur në shtëpi nga Atalanta me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të Serie A. 

Rossonerët nuk kanë arritur t’i kthehen fitoreve në ndeshje me Atalantan dhe kanë shijuar humbjen e dytë radhazi nën drejtimin e Gennaro Gattusos.

Milani nuk po këndellet as nën drejtimin e Gattusos (Getty Images)

Pjesa e parë e takimit ishte e barabartë, por me mysafirët që arritën të gjejnë golin e parë, që është më i rëndësishmi në lojë.

Luhej minuta e 32-të e ndeshjes, ku pas një ndërprerje ishte Bryan Cristante, i cili shënoi nga afërsia për 1-0 pas një topi të kthyer nga Gianluigi Donnarumma dhe dërgoi skuadrat në pushim.

Momenti i golit të parë të ndeshjes nga Cristante (Getty Images)

Edhe pjesa e dytë u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, ku goli përsëri erdhi vetëm nga mysafirët.

Ishte mesfushori slloven, Josip Ilicic, i cili përmbylli një aksion të mirë të mysafirëve, pasi në minutën e 71-të shënoi për 2-0 pas asistimit të Leonardo Spinazzolas.

Gjithë lojtarët e Atalantas duke festuar golin e Ilicicit (Getty Images)

Deri në fund të ndeshjes, Milani provoi të kthehet në lojë, por nuk arriti dhe në fund humbi edhe nga Atalanta me rezultat përfundimtar 2-0.

Pas kësaj humbje, Milani e sheh veten në pozitën e 11-të me 24 pikë, ndërsa Atalanta renditet në vendin e shtatë me 27 pikë.

Rossonerët në ndeshjen e radhës udhëtojnë te Fiorentina, ndërsa Atalanta e pret në shtëpi Cagliarin. /Telegrafi/

Milani nuk po këndellet as nën drejtimin e Gattusos (Getty Images)
Exit mobile version