Llogaria e gazetarit Milaim Zeka në Facebook është mbyllur. Kjo gjë ka ndodhur vetëm një ditë pasi Zeka kishte reaguar ndaj imamit Shefqet Krasniqi – i cili i konsideronte prostituta femrat që zhveshën në plazh.
Milaim Zeka, ka thënë se profili i tij në rrjetin sociale Facebook është deaktivizuar mbrëmë nda disa persona të panjohur, e që ai beson të jenë përkrahës të imamit kontrovers – pasi të njëjtit e kishin fyer, linçuar e kërcënuar pas reagimit të gazetarit.
“Unë s’jam si Mehmet Kraja me e mshel vet, por mas atij shkrimit për Shefqet Krasniqin, e tani mu gjuajtën – më shajshin, më kërcënojshin edhe mas mbrami, çudia ma e madhe është se si duket e kanë bërë ‘Report’ krejt facebook’un”, thotë Zeka.
“Unë qëllimisht nuk i kamë fshi asnjëherë komentet as përkrahësve të Erdoganit e as të Shefqet Krasniqit, për me pa populli çfarë niveli të ultë e barbarë kanë. Unë s’besoj se as Bibla e a Kurani se edukon dikon me sha e me kërcënu”, ka thënë tutje gazetari për Gazetën Express.
Tutje, ai sqaron edhe një herë reagimin e tij ndaj ish-imamit të xhamisë së madhe të Prishtinës.
“Unë se kamë fy Shefqet Krasniqin e as se kam qujtë anti-kombëtar, por vetëm kamë thanë se një njeri që i konsideron prostituta femrat për mënyrën sesi veshën, a shkojnë a s’shkojnë në deti – vetëm kamë thanë se nëse ekziston në atë botë xheneti (parajsa), unë vullnetarisht shkoj në xhehenem, veç mos me taku atë njeri”.
Ndryshe, Zeka të dielën ka kritikuar Shefqet Krasniqin, i cili në një deklaratë të fundit thoshte se femrat që shkojnë në plazh janë prostituta.
Gazetari ka shkruar se Krasniqi nuk ka lidhje me fe dhe si i tillë ai është një keqpërdorues i fjalës publike.
“Nese Shefqet Krasniqi kish me shku ne xhnet, une vullnetarisht do te shkoja ne xhehnem, vetem mos me taku asnjehere, as ne kete bote, as ne ate”, shkruante Zeka në postimin e tij.