Telegrafi

Milaim Zeka: Votova “me vonesë” pro shtyerjes së seancës

Deputeti nga koalicioni PAN, Milaim Zeka, ka konfirmuar se ai ka votuar për shtyerjen e seancës deri në orën 14:00.

Ishte krijuar një pa qartësi gjatë votimit të propozimit të Enver Hoxhajt për një pauzë dy orëshe, kur Besa Gaxherri nga koalicioni LAA pretendoi se Zeka nuk votoi fare, me çka pauza nuk mund të aprovohej.

Sidoqoftë, Zeka doli në foltoren e kuvendit ku tha se votoi pro pauzës për të mos bllokuar formimin e institucioneve.

“Unë personalisht nuk shoh kurrfarë arsye që të shtyhet as dy orë, e as dy minuta, nuk shoh arsye me u turpëru para korit diplomatik dhe seanca të fillojë me vonesë”.

“Këto janë hajgare prej fillimit. Mendova a të ngris dorën e majtë, apo të djathtën e kam votuar me vonesë, kam votuar për shtyerje të seancës për të mos bllokuar proceset dhe të formohen institucionet”, u shpreh në mënyrë kontroverse Zeka.

Seanca konstituive është mbyllur pa asnjë rezultat nga kryesuesi, Adem Mikullovci. /Telegrafi/