Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, është në mesin e personave që e kanë shoqëruar sot, Sami Lushtakun para intervistës së tij në Hagë.
Pasi ish-komandanti i UÇK-së përfundoi intervistimin, ai dhe as avokatët e Lushtakut nuk pranuan të flasin para mediave.
Por, Zeka ka thënë për Klan Kosovën se Specialja nuk ka prova për ta akuzuar Sami Lushtakun, për krimet e luftës ose të pasluftës.
”Prokuroria Speciale deri në këtë moment që po flasim nuk ka asnjë dëshmi, apo rrethanë rënduese që do ta rëndonte Sami Lushtakun për krimet e luftës apo të pasluftës”, ka thënë Zeka.
Duke folur për pyetjet e prokurorit, deputeti i Nismës ka thënë se Lushtaku është përgjigjur në të gjitha pyetjet.
Sipas tij, Lushtaku nuk ka ndonjë shqetësim në lidhje me intervistimin e tij nga Specialja.
”As në Kosovë nuk është vërejtur ndonjë shqetësim i Sami Lushtakut, e as gjatë qëndrimit në Stuttgart e as në Holandë. Nuk është që ka qëndruar veçmas, e gjithë ekipa që kemi qenë me të e ka shoqëruar por ai s’ka pasur ndonjë hall të tillë”, ka thënë Milaim Zeka.
Ndryshe veç Lushtakut, intervistimin nga Specialja e ka përfunduar edhe Rrustem Mustafa. /Telegrafi/