Site icon Telegrafi

Milaim Zeka ofron votën për rrëzim të Qeverisë, flet dhe për formimin e partisë ‘PEK’

Partitë opozitare në Kosovë kanë një votë më shumë nga mazhoranca për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Kjo pasi, deputeti  Milaim Zeka shprehet i vendosur se vota e tij do të jetë në shfrytëzim të opozitës për dërgim në zgjedhje të reja Kosovën.

Në lidhje me këtë deputeti Zeka në një intervistë për KosovaPress konfirmon takimet dhe kontaktet me partitë opozitare dhe këtë vendim thotë se e ka marr për shkak të vjedhjes drastike që po i ndodhë parasë publike.

“Vota ime është pro rrëzimit të Qeverisë…vetëm për shkak  të vjedhjeve drastike të parasë publike, për shkak të prioriteteve të turpshme të kësaj politike që prioritet e ka asfaltin, prioritet e ka Vuçiqin, prioritet e ka Luginën e Preshevës. Jo bashkimin me Shqipërinë. Kam pas takime me Vetëvendosjen dhe kam premtuar edhe publikisht dhe privatisht votën time pro”, shprehet Zeka.

Deputeti Zeka ka treguar për KosovaPress edhe për partinë e re që do të formojë të cilën tha se do ta promovojnë me datën 29 qershor.

Ai shprehet i sigurt se do të ketë mbështetje nga qytetarët, ku thotë se ka mbi 1 vit e gjysmë që ka filluar për  të organizuar strukturën e partisë nga gjithë vendi dhe diaspora.

Ndërsa, theksoi se nuk pret që në parti të vijnë njerëz që kanë dëshmuar se partitë politike i shfrytëzojnë vetëm për interesa personale.

Deputeti Zeka po ashtu nuk mohoi mundësinë që partisë së tij t’i bashkëngjiten kolegë deputetë nga legjislatura e tanishme.

Zeka: Nuk pres në parti të vijnë njerëz që kanë dëshmuar që kanë hyrë në parti politike për interesa të tyre private

“Partia do të quhet Partia Euro-atlantike e Kosovës dhe aty do të keni shpalosje të një pjese të programit. Qe 1 vit e gjysmë me gjithë shqiptarët në çdo fshat dhe gjithë diasporën deri në Australi, Kanada në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në çdo vend evropian. Grupi i tragetit im është ky, nga dhjetë shqiptar nëntë e gjysmë janë të pakënaqur në këtë vend dhe sidomos rinia. Unë nuk pres në parti të vijnë njerëz të cilët e kanë dëshmuar që kanë hyrë në parti politike për interesa të tyre private. Unë pres grup mosha të reja…ka interesim, varet prej tyre. Partia që unë po e krijoj nuk është parti që e lut dikon, është parti që shprehin njerëzit dëshirë për me ardhë”, thotë deputeti Zeka.

Së fundi tri liderët e partive opozitare, Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti kanë filluar takimet për të përpiluar mocionin e mosbesimit karshi Qeverisë Haradinaj. Me votën e Zekës opozita i ka 59 vota ndërsa për ta rrëzuar Qeverinë i duhen 61

Exit mobile version