Deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka ka reaguar sot pas deklaratës së nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, për Ekipin negociator, duke thënë se kryesuesi Fatmir Limaj dhe bashkëkryesuesi Shpend Ahmeti do të jenë vetëm printues letrash të Hashim Thaçit.
Zeka në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se një deklaratë e tillë e Hazirit vjen nga përvoja e tij në LDK, të cilët nga vdekja e ish presidenti Ibrahim Rugova kanë qenë printer të presidentit aktual, Hashim Thaçi.
Sipas deputetit të Nismës, Lutfi Haziri bashkë me LDK-në e kanë mbajtur të fortë PDK-në dhe e kanë bërë Thaçin president.
Lexoni të plotë postimin e Zekës në Facebook:
“E Lutfi Haziri a është printer i Thaçit?!
Deklarata kontroverse të nënkryetarit të LDK-së
Luta, në RTK, ka deklaruar se ‘Fatmir Lima dhe Shpend Ahmeti do jenë vetëm printues letrash të Hashim Thaçi’! Kjo deklarate është nga përvoja e gjatë e Lutës dhe e krerëve të LDK-së, të cilët, që prej vdekjes së Rugovës e deri më sot, gjithmonë kanë qenë printeri i presidentit Thaçi.
Luta me LDK-në e kanë mbajtur të fortë PDK-në dhe e kanë bërë president Thaçin. Mirëpo Lutfi Hazirit i ka ‘shpëtuar’ një deklaratë e vërtetë, edhe pse besoj që e ka thënë shumë qëllimisht, për t’i dërguar një mesazh të fortë kryetarit të LDK-së dhe kundërshtarëve të dialogut. Luta tha se: ‘Amerika dhe Brukseli e kanë thënë qartë se Thaçin e njohin për negociator’!!! E nëse Amerika dhe Brukseli po e dojkan Thaçin për negociator, pash Zotin Lute, kush qenkan Isa Mustafa, Albin Kurti etj, me e mohu atë?!!!
Lene more dialogun se ai nuk varet nga ne. Kuptojeni mirë që po të mos jenë Washingtoni dhe Brukseli, Vuçiqi e Serbia as që do na kishin llogaritur.
Merruni me hallet reale të këtij populli. Mendoni more që po vuajmë për rrymë, për ujë, për barna, për nxemje, për gjithçka. Merruni me ashensor të banesave o Lute, ti dhe krejt kryetarët e komunave. Merruni me çmimet e çmendura të derivateve të naftës. Merruni me ushqime të prishura që po hynë në Kosove. Merruni me parandalimin e drogës që po përdoret nga të rinjtë tanë sikur puna e sakëzave…
Lërjani hajgaret politike Agim Bahtirit, i cili bashkë me Burdushin, edhe e solli Shakiren në Mitrovicë, edhe e hapi urën e Ibrit, edhe a po e shihni more njerin qysh e bashkoi Mitrovicën. Me një peticion bre… Veç me nënshkrime…
Leni hajgaret e punoni për popull…”. /Telegrafi/