Telegrafi

Milaim Zeka hedh dyshime, pretendon se i kanë treguar mënyrën se si po manipulohen votat e diasporës

Kryetari i PEK, Milaim Zeka, ka ngritur alarmin se po manipulohet me votat e diasporës.

Zeka, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka hedhur dyshime se në ambasadat e Kosovës në Evropë po bëhen manipulime të të dhënave të qytetarëve për interesa në zgjedhje.

Ai thotë se të gjithë bashkatdhetarët tonë që shkojnë nëpër konsullata apo ambasada të Kosovës për të vazhduar pasaportat e tyre u janë marrë kopjet e dokumenteve të tyre dhe po përdoren për të votuar.

“Ato dokumente janë nxjerrë nga arkivat nëpër konsullata dhe ambasada dhe në emrin e tyre janë duke votuar militantë të partive politike që janë nëpër konsullata apo ambasada”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Zeka thotë se për këtë shqetësim, janë njoftuar edhe ambasadat e huaja.

I pari i PEK-ut, thotë se në bazë të personave që kanë punuar në KQZ, kutitë e votimeve nga diaspora lidhen me një, dy dhe tre shirita.

Sipas tij militantët që janë në Kosovë u japin urdhër anëtarëve në KQZ që kutitë më një shirit të shkojnë në magazinë e ato me dy shirita të ndalen.

“Njerëzit në Kosovë, po votojkan në momentin kur mbyllen votimet në emër të atyre që nuk kanë votuar”, tha ndër të tjera Milaim Zeka./Telegrafi/