Telegrafi

Milaim Zeka e quan lajm të rrejshëm raportimin për kidnapimin e tij

Pas raportimeve në media se persona të panjohur kanë tentuar ta kidnapojnë deputetin e Kuvendit të Kosovës Milaim Zeka, ka reaguar ky i fundit.

Përmes një postimi në Facebook , Zeka ka thënë se lajmi ishte i rrejshëm.

“Lidhur me lajmin e rrejshëm se gjoja dikush ka tentuar te me kidnapoi me datën 17, lajmi nuk është aspak i vërtetë. Policia ka pasur dyshime për një makinë, rasti është ne polici, dhe policia po merret me të. Falënderoj Policinë e Kosovës për reagimin profesional dhe korrekt”, ka shkruar Zeka në Facebook.

Edhe Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se më  17 maj është  raportuar rasti nga ana e ankuesit M.Z. Rasti ka ndodhur në Rrugën B në Prishtinë.

Me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar si ngacmim dhe Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat që e karakterizojnë atë.

“Nga hetimi preliminar ka rezultuar se vetura nga e cila është ndjerë i shqetësuar ose i ngacmuar ankuesi, ka qenë duke u drejtuar nga një i mitur, i cili pasi është ndaluar nga policia është konstatuar se nuk ka poseduar patentë shoferi për drejtim automjeti”,  ka njoftuar policia. /Telegrafi/