Pas raportimeve në media se persona të panjohur kanë tentuar ta kidnapojnë deputetin e Kuvendit të Kosovës Milaim Zeka, ka reaguar ky i fundit.
Përmes një postimi në Facebook , Zeka ka thënë se lajmi ishte i rrejshëm.
“Lidhur me lajmin e rrejshëm se gjoja dikush ka tentuar te me kidnapoi me datën 17, lajmi nuk është aspak i vërtetë. Policia ka pasur dyshime për një makinë, rasti është ne polici, dhe policia po merret me të. Falënderoj Policinë e Kosovës për reagimin profesional dhe korrekt”, ka shkruar Zeka në Facebook.
Edhe Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se më 17 maj është raportuar rasti nga ana e ankuesit M.Z. Rasti ka ndodhur në Rrugën B në Prishtinë.
Me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar si ngacmim dhe Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat që e karakterizojnë atë.
“Nga hetimi preliminar ka rezultuar se vetura nga e cila është ndjerë i shqetësuar ose i ngacmuar ankuesi, ka qenë duke u drejtuar nga një i mitur, i cili pasi është ndaluar nga policia është konstatuar se nuk ka poseduar patentë shoferi për drejtim automjeti”, ka njoftuar policia. /Telegrafi/