Kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës (PEK), njëherit deputet i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka ka folur mbi situatën politike në vend dhe koalicionet.
Zeka ka komentuar koalicionin tashmë të zyrtarizuar AAK-PSD duke e quajtur të çuditshëm dhe të pakuptimtë.
“Me u ba bashkë Ramush Haradinaj, me Dardan Molliqajn dhe Shpend Ahmetin për mua ka qenë shumë e çuditshme. Ne mund të bashkëpunojmë bashkë nëse kemi kundërshti politike, por kur ti i thua dikujt je kriminel, si mundet me ba koalicion me të. Si mundet Isa Mustafa me ba koalicion me Albin Kurtin, kur ky i fundit e ka gjuajtur me bojë në fytyrë Isa Mustafën , qysh mundet Kadri Veseli me thane e luftoj korrupsionin kur PDK është partia më e korruptume dhe kriminalizume në Kosovë”, ka thënë Zeka për Gazeta Blic.
Po a do të bëjë koalicion parazgjedhor PEK me ndonjë subjekt politik ?
Zeka ka mohuar kategorisht se do të bëjnë koalicion me ndonjë parti edhe nëse nuk do të kalonin pragun zgjedhor.
“Ne mënyrë absolute ne nuk shkojmë në koalicion me asnjë parti edhe nëse nuk hyjmë fare në parlament. Kjo bëhet për t’i treguar qytetarit se është dikush që ka normë morale në politikë. Ndërsa pas zgjedhjeve, ata që pranojnë mos me pas makina zyrtare. Ata që punojnë me ba spitale që mos me shku pacientët tanë në Turqi dhe Serbi, hyj në koalicion me ta”, tha Zeka.