Site icon Telegrafi

Miku i Ronaldos, Piers Morgan thotë se lojtarët e Francës ishin helmuar, ndërsa pas kritikave bën një deklaratë ngacmuese

(Foto: Daily Mail)

Tifozët kanë bërë kritika të shumta kundrejt sugjerimit të Piers Morgan se lojtarët e Francës ishin helmuar qëllimisht para humbjes së tyre nga Argjentina në finale të Kampionatit Botëror, ‘Katar 2022’.

Albicelestët fituan kundrejt Les Bleus pas ekzekutimit të penalltive, pasi koha e rregullt (2-2) dhe vazhdimet (3-3) ishin mbyllur me rezultat të barabartë.

Kur rezultati ishte 2-0 në dëm të Francës, Morgan – i cili njihet si një tifoz dhe mik i Cristiano Ronaldos – kishte bërë një deklaratë në Twitter.

“Nuk ishte një virus, skuadra franceze është helmuar qëllimisht”, kishte shkruar gazetari dhe moderatori i njohur anglez duke iu referuar paraqitjes së dobët të lojtarëve të Francës në atë periudhë të lojës.

Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë reaguar duke e quajtur të turpshme deklaratën e tij, të cilën e kanë lidhur me dëshirën e hapur që Messit të mos e fitonte Kupën e Botës, për shkak të raporteve që ka me Ronaldon.

Shumë prej tifozëve kanë publikuar fotografi të CR7 duke qarë teksa e ngacmonin Morganin: ‘Kështu mendojnë tifozët tipikë të Ronaldos, iluzion”.

Porse, moderatori nuk është ndalur me kaq, edhe pas triumfit të Messit në Botëror, ka shkruar: “Po, pajtohem se kjo e zgjidh debatin njëherë e përgjithmonë… Cristiano Ronaldo është më i miri i të gjitha kohërave”. /Telegrafi/

Exit mobile version