Telegrafi

Mikel Arteta zbulon se çfarë duhet të bëjë Arsenali për të mposhtur Liverpoolin

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka zbuluar strategjitë kryesore që ekipi i tij duhet t’i aplikojë për të siguruar një fitore ndaj liderit të tabelës Liverpoolit në “Emirates Stadium”.

Teksa “Topçinjtë” gjenden pesë pikë mbrapa Liverpoolit në renditjen tabelare në Ligën Premier, ndeshja mes këtyre dy ekipeve po shihet si mjaft e rëndësishme në garën për titull këtë sezon.

Arteta ka folur për rëndësinë që ka ky takim, duke potencuar që një rezultat pozitiv do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm në garën për titull këtë sezon.

“Ne dimë shumë për njëri-tjetrin. Ne kemi luajtur me njëri-tjetrin tash e disa vite tani dhe ka disa gjëra që duhet të bëjmë ndaj Liverpoolit. Intensiteti i kësaj ndeshje do të jetë shumë i lartë. Kërkesat individuale, fokusi, vëmendja dhe kualiteti që të gjitha këto duhet të jenë prezentë në atë ndeshje”, ka thënë Arteta.

“Ne duhet të luajmë ashtu siç jemi, të luajmë ndeshjen që ne duam ta luajmë, dhe lojtarët kanë besimin dhe dëshirën për të bërë lojën që e kemi aplikuar deri më tani”.

“Ne duhet të fitojmë të drejtën për të fituar ndeshjen të dielën. Për ta bërë këtë, ne duhet të luajmë ashtu siç kemi bërë deri më tani ose edhe më mirë. Kjo është pra, pjesa tjetër do jetë pasojë e asaj”, përfundoi tekniku spanjoll.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që këto dy ekipe do të takohen këtë sezon. Në raundin e tretë të FA Cup muajin e kaluar, Arsenali pësoi një humbje me rezultat 2-0 ndaj Liverpoolit. Përkundër kësaj, dy ekipet kanë luajtur gjithashtu baras në “Anfield” në dhjetor të vitit të kaluar./Telegrafi/