Arsenali raportohet se po synon transferimin e mesfushorit të Real Sociedadit, Mikel Merino, me Mikel Artetan që po udhëheq personalisht negociatat.
“Topçinjtë” kanë qenë në gjueti për një mesfushor të ri këtë verë dhe tashmë ata kanë shfaqur interesimin për mesfushorin spanjoll i cili ka impresionuar në sezonet e fundit me Real Sociedadin.
Siç është raportuar nga gazeta spanjolle Sport, Arteta personalisht po bën përpjekje që ta bind mesfushorin të nënshkruaj për Arsenalin madje e ka telefonuar atë për t’i shpjeguar projektin.
Kontrata aktuale e Merinos me Sociedadin skadon në verën e vitit të ardhshëm dhe Arsenali beson se ata do të jenë në gjendje të nënshkruajnë me të për shumën e 25 milionë eurove.
Sidoqoftë, klubi anglez do të përballet me konkurrencë nga Barcelona të cilët po ashtu po synojnë një lojtar të profilit të njëjtë.
Merino ka kaluar sezonin 2017/2018 tek Newcastle United dhe është paraqitur në 24 ndeshje në Ligën Premier për “Laraskat” para se të kompletojë transferimin tek Real Sociedadi.
Ylli i Real Sociedadit ishte ftuar nga përzgjedhësi i Spanjës, Luis De La Fuente, për Euro 2024 dhe është paraqitur në dy ndeshje nga banka rezervë.
28-vjeçari pritet që të marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij pas përfundimit të Kampionatit Evropian./Telegrafi/