Kandidati laburist, Sadiq Khan ka fituar garën për kryebashkiak të Londrës, edhe pse numërimi i votave nuk ka përfunduar totalisht.
Zgjedhësit londinezë duket se e kanë vendosur laburistin përpara rivalit të tij më të afërt, konservatorit Zac Goldsmith, ndaj të cilit udhëheq me 44,3% të votave kundrejt 34,8%.
Khan do të bëhet në këtë mënyrë kryebashkiaku i parë mysliman i kryeqytetit britanik. Një ngjarje që bën histori në një qytet ku emigrantët janë pakica më e madhe etnike.
Djalë i emigrantëve pakistanezë, myslimanë, u rrit në një banesë në Londër së bashku me 7 vëllezër.
Me një baba shofer autobusi dhe nënë rrobaqepëse, Khan lindi në Londër në vitin 1970.
U rrit së bashku me 7 vëllezër në një “shtëpi këshilli” në kryeqytetin britanik.
Studioi Drejtësi në Universitetin e Londrës.
Avokat i specializuar për të drejtat humane, në vitin 2005 hyri për herë të parë në Parlament.
U bë politikani i parë mysliman me prejardhje aziatike.
Ish-ministër i Drejtësisë në opozitën laburiste të drejtuar nga Ed Miliband, Khan ishte dhe nënsekretar për komunitetet etnike dhe lokale dhe më pas në vitin 2008 Ministër Transportesh.
Edhe mik i shqiptarëve
Kur mori pjesë herën e fundit në Festivalin e Kulturës shqiptare, një aktivitet komunitetit shqiptar përpara Bashkisë së Londrës, më 8 qershor të vitit të kaluar ai foli me nota pozitive për shqiptarët.
“Unë i dua shqiptarët – (foli në shqip) – dhe mezi pres të bashkëpunoj me ta, si dhe të vizitoj Shqipërinë e Kosovën”, ka deklaruar Sadiq Khan, njeriu që tani do të bëhet kryebashkiaku i metropolit britanik. /Tirana Observer/