Site icon Telegrafi

Mijëra veteranë të luftës rrezikojnë të mbesin pa pensione

Rreth pesë mijë veteranë të luftës së UÇK-së, rrezikojnë që sivjet të mbesin pa pensionin e tyre prej 170 eurosh.

Kjo pasi Qeveria e Kosovës, nuk do të guxojë të tejkalojë shumën prej 25 milionë eurove dedikuar për kategorinë e veteranëve.

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, tha sot në Prishtinë se rritja e të hyrave për këtë kategori paraqet rrezik.

“Gjithsesi kjo është një fushë për të cilën kemi pasur diskutime të gjata me Qeverinë e Kosovës thjeshtë për të siguruar që Qeveria nuk do të merr përsipër detyrimet, të cilat do të bëjnë të paqëndrueshëm sistemin e saj. Ne jemi pajtuar për një ndarje buxhetore për këtë vit në vlerë prej 25 milionë eurove. Procesi ende nuk ka përfunduar, ne po shohim që numri i përfituesve potencialisht është duke u rritur, por presim që të kemi diskutime të mëtejme me Qeveri në për të siguruar që totali i përgjithshëm i paraparë për këtë vit të mos ndryshojë në mënyrë që mos të rrezikojë asgjë”, tha Vermeulen.

Ndryshe për të paguar të gjithë veteranët që u është njohur statusi dhe janë të papunë, ministri Arban Abrashi ka deklaruar më herët se duhen edhe 15 milionë euro shtesë, raporton KP.

Sipas të dhënave të MMPS-së, deri më tani pensionet e tyre i kanë marrë rreth 14 mijë veteranë të luftës që nuk janë në marrëdhënie pune, ndërsa kanë mbetur edhe rreth 5 mijë që kanë aplikuar për pensione por që ende nuk i kanë marrë ato.

Përveç këtij paralajmërimi për Qeverinë e Kosovës, shefi i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen, ka bërë të ditur se të premten Bordi i FMN-së ka miratuar rishikimin e parë të programit me Qeverinë e Kosovës.

Exit mobile version