Ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulik (DSK), Sasho Mijallkov, është dënuar me tre vite burg në rastin e Prokurorisë Speciale “Titanik 2”.
Pas shqiptimit të aktgjykimit nga ana e Gjykatës Penale në Shkup, Mijallkov tha se nuk e ka ndërmend të arratiset, duke shtuar se me ikje nuk zgjidhet asgjë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“S’ka argumente se unë do të arratisem. Sjellja ime gjatë vitit të kaluar nuk ka dhënë asnjë indikacion as se kam menduar, e aq më pak planifikuar arratisje. Me ikje nuk zgjedhim asgjë. Stili im i jetës nuk është ikja. Nëse Gjykata e Apelit vendos që unë duhet të shkoj në paraburgim, atëherë do ta respektoj”, ka thënë Mijallkov.
Pas shqiptimit të aktgjykimit, prokurorja speciale kërkoi që Mijallkovit t’i shqiptohet masa e paraburgimit, pasi siç tha, ekziston rreziku që ai të arratiset.
Ndryshe, përveç Mijallkovit në rastin “Titanik 2” me burg u dënuan edhe Menduh Thaçi (3 vjet e dy muaj), Bedredin Ibraimi (katër vjet e gjashtë muaj), si dhe Sasho Srcev, Vllatko Sajkovski dhe Aneta Stefanovska (3 vjet)./Telegrafi/