Kandidati për deputet nga PDK-ja, Migjen Kelmendi, ka thënë se PDK-ja pranon “fajin” e së kaluarës dhe po merr veprime konkrete.
Kelmendi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se PDK po e pranon pjesën e përgjegjësisë dhe sipas tij ka filluar ta “pastrojë oborrin e vet”.
Ai thotë se PDK-ja ka larguar nga lista e kandidatëve për deputetë edhe themeluesit e partisë që sipas tij është dëshmi se e kanë seriozisht luftën kundër korrupsionit, përcjell Telegrafi.
Kandidati për deputet nga PDK-ja, ka sulmuar kryetarin e Vetëvendosjes, pasi sipas tij, Kurti ka luajtur me flamurin kombëtar.
“Albin Kurti po luan me flamurin kombëtar, ashti siç e shpreh Ernest Koliqi në veprën ‘Tregtarë flamujsh’”.
Kelmendi thotë se Albin Kurti ka përfituar nga situata në Kosovë për shkak të sistemit të dobët arsimor në Kosovë.
“Gjeneratat e reja e kanë problem për të dalluar çfarë është fakt e çka argument, çka opinion e çka analizë, kur flet Kurti për lisa, e ata lisat bëhen plisa”, tha Kelmendi./Telegrafi/