Telegrafi

Miftaraj: Vendimi i Qeverisë për uljen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve është i kundërligjshëm

Ehat Miftaraj

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshëm.

Miftaraj, përmes një postimi në Facebook, ka potencuar se nuk mund të zbatohet një vendim, i kundërligjshëm.

Një jurist me njohuri elementare e din se vendimi i Qeverisë per uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshëm. Ky vendim nuk ka me gjet zbatim”, ka thënë Miftaraj.

Ai tha se nuk mundet të zbatohet një vendim i kundërligjshëm.

“Më vjen keq për Kryeministrin Kurti për nivelin e njerëzve që e këshillojnë në çështje të drejtësisë. Këta nuk ia donë të mirën Kryeministrit. Të njëjtit nuk duhet ta vënë në situata të tilla Kryeministrin”, ka shkruar Miftaraj.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017.

Kryeministri Kurti ka thënë se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë. /Telegrafi/