Site icon Telegrafi

Miftaraj: Thaçi dhe Haradinaj kanë shkelur ligjin, duke emëruar njerëz partiakë në AKI

Gjatë ditës së sotme presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, kanë emëruar Kreshnik Gashin në pozitën e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Burim Ramadanin në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Ndaj këtyre emërimeve ka reaguar shoqëria civile. Ehat Miftarajt, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se emërimet e sotme janë jo legjitime.

“Qeveria në ikje e Kryeministrit Haradinaj nuk ka legjitimitet në emërimin e Drejtorit të AKI-së dhe Inspektorit të Përgjithshëm. Ligji për AKI-në përcakton në mënyrë të qartë se Drejtori i AKI-së për punën e tij do t’i përgjigjet drejtpërdrejt Kryeministrit të vendit. E kur kësaj i shtohet fakti se gjatë këtyre ditëve apo javëve pritet certifikimi i zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së re, më një kryeministër që nuk do të jetë z.Haradinaj, emërimet e sotme i bën jo legjitime dhe pa pikë integriteti dhe kredibiliteti”, ka thënë ai në një deklaratë të dhënë për Telegrafin.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv Institutit të Kosovës për Drejtësi

Ai shtoi tutje se personat e emëruar sot kanë një të emërues të përbashkët, që sipas tij, të dy janë militantë partiakë që vijnë nga radhët e PDK-së dhe AAK-së.

Lexo po ashtu Emërohen shefi dhe Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së

Miftaraj tha se qeveria në ikje nuk po ndalet duke bërë skandale.

“Fatkeqësisht, kjo qeveri në ikje nuk ka të ndalur me skandale dhe emërime politike në institucione të rëndësisë së veçantë për sigurinë e Republikës së Kosovës”, pohoi ai.

Si përfundim, Miftaraj tha se presidenti Thaçi bashkë me kryeministrin në detyrë, Haradinaj kanë shkelur sot ligjin, duke emëruar njerëz të politikës në këto dy pozita.

“Për më tepët presidenti dhe kryeministri sot e kanë shkel ligjin, duke emëruar njerëz të politikës në këto pozita. Të dy kanë shkelur nenin 129 të Kushtetutës dhe nenin 17 të Ligjit per AKI më këto emërime politike”, deklaroi ai.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kanë njoftuar për emërimet e reja që kanë bërë në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Kreshnik Gashi do të jetë shef i AKI-së, kurse Burim Ramadani do të jetë Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së. /Telegrafi/

Exit mobile version