Telegrafi

Miftaraj për ankesën e Listës Serbe: Nuk gjen mbështetje as në Gjykatën Kushtetutese e as në dokumentin e Ahtisarit

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se ankesa e Listës Serbe nuk gjen mbështetje as në Gjykatën Kushtetutese e as në dokumentin e Ahtisarit.

Megjithatë, Miftaraj thotë se e drejta për të ngritur çështje kushtetuese i takon çdo pale të autorizuar.

“Sidoqoftë, kërkesa e Listës Serbe nuk gjen mbështetje as në Kushtetute as në dokumentin e Ahtisarit. Privilegjet e ofruara nga qeveritë e kaluara jo domosdoshmërisht kanë qenë praktika të mira dhe të mbështetura në Kushtetutë. E drejta e garantuar me Kushtetutë dhe privilegjet e fituara në marrëveshje politike dallojnë. Në rastin konkret kemi të bëjmë me privilegje dhe jo të drejtë të garantuar me Kushtetutë”, ka thënë Miftaraj në profilin e tij në Facebook.

Lexo po ashtu Të pakënaqur me përfaqësimin në Qeverinë Kurti, Lista Serbe i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Ndryshe,Lista Serbe ka bërë të ditur se i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese, siç është thënë pas vendimit të qeverisë së Albin Kurtit, që për këtë komunitet të ketë vetëm një ministri.

Siç është bërë e ditur në njoftim, Lista Serbe paraqiti sot në emër të dhjetë deputetëve të kësaj partie dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane një ankesë në Gjykatën Kushtetuese “në mënyrë që të mbrojë interesat e popullit serb”. /Telegrafi/