Site icon Telegrafi

Miftaraj ka dyshime se Kurtit mund t’i ndalohet edhe kandidimi për kryeministër

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka komentuar vendimin e KQZ-së për ndalimin e disa kandidatëve për deputetë që të garojnë në zgjedhje përfshirë edhe të Albin Kurtit.

Miftaraj thotë për RTV Dukagjinin se vendimi i fundit i KQZ-së është vetëm zbatim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ua ndalon personave që kanë dënime të kandidojnë në zgjedhje.

Drejtori i KDK-së ka folur edhe për rastin e Albin Kurtit për të cilin thotë se është e dyshimtë nëse i njëjti do të mund të bëhej edhe kryeministër.

“Varet se si do të interpretohet ky vendim i Gjykatës Kushtetuese. Pos që kufizohet e drejta për të kandiduar për deputet po ashtu është një fjali tjetër ku thuhet që “çdokush që dëshiron të merr një mandat nga Kuvendi mund të jetë subjekt i një kufizimi të tillë”. Sidoqoftë nuk është se ky dispozitiv është sqaruar mirë, andaj në këtë fazë nuk mund të them a mund t’i lejohet apo jo kandidimi për kryeministër”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Miftaraj ka thënë se është ndër rastet e rralla që këtyre personave iu lejohet ankesa në instancat më të larta por që të njëjtin e dinë para kohe epilogun.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është i obligueshëm vetëm për KQZ-në, por edhe për PZAP-në dhe për Gjykatën Supreme. Pra këto tri institucione e kanë një vendim të cilin duhet ta zbatojnë./Telegrafi/

Exit mobile version