Telegrafi

Miftaraj: E paqartë nëse aktakuza ka të bëjë me agresion shtetëror kundër Kosovës

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se Prokuroria Speciale e Kosovës nuk dha shumë informacione për aktakuzën e ngritur kundër 45 personave për sulmin në Banjskë.

Derisa vlerëson “kohën e shpejtë” për të cilën është ngritur aktakuza, ai thotë se për publikun është shumë e rëndësishme të dihet nëse ajo ka të bëjë edhe me vepra që ndërlidhen me agresionin shtetëror ndaj Republikës së Kosovës, apo vetëm me një grup kriminal.

“Është e kuptueshme që prokurorët, në këtë fazë, mund të jenë të kufizuar në dhënien e informacioneve të detajuara lidhur me aktakuzën. Por, besoj se në pyetje të përgjithshme… kryeprokurori do të mund të përgjigjej”, thotë Miftaraj.

Të mërkurën, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave për sulmin e armatosur në Banjskë.

Në këtë fshat në veri të Kosovës, një grup i armatosur serbësh sulmoi shtatorin e kaluar policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës e cilësuan sulmin si terrorist dhe bënë përgjegjëse Serbinë për organizimin e tij. Kjo e fundit e mohoi përgjegjësinë.

Prokuroria e Kosovës njoftoi sot për ngritjen e aktakuzës kundër 45 personave për sulmin në Banjskë. Fillimisht, cili është komenti juaj për aktakuzën?

Ehat Miftaraj: Në radhë të parë, besoj se duhet përgëzuar Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës që, në një afat rekord, në një afat kaq të shpejtë, ka ngritur një aktakuzë, e cila ndërlidhet me një rast shumë kompleks.

U përmend që janë 45 persona të dyshuar për vepra penale që lidhen me terrorizëm, shpëlarje të parasë dhe janë kundër rendit kushtetues.

Nisur nga fakti që Republika e Kosovës, fatkeqësisht, nuk ka pasur në dispozicion laboratorë për të bërë ekzaminimin e shumicës së provave dhe është dashur ndihma juridike ndërkombëtare nga shtete të ndryshme të botës, mund të themi se aktakuza është ngritur në një afat shumë të shpejtë.

Është pak e pazakontë që Prokuroria Speciale, në këtë rast si kryeprokurori, ashtu edhe prokurori i rastit, vetëm treguan se është ngritur aktakuza, por nuk dhanë përgjigje në disa tema, në disa pyetje, të cilat janë me interes për publikun dhe të cilat, në njëfarë mënyre, nuk do ta pengonin as hetimin, as procesin gjyqësor.

Çka mendoni konkretisht këtu? Për cilat informacione?

Ehat Miftaraj: Për publikun, për gazetarët është shumë e rëndësishme se a ka të bëjë aktakuza edhe me veprat që ndërlidhen me agresionin shtetëror ndaj Republikës së Kosovës, apo ndërlidhet vetëm me një grup kriminal, mirë të organizuar, i udhëhequr nga [Millan] Radoiçiq, që i ka kryer veprat e përcaktuara në aktakuzë.

Në konferencë nuk u përmend as përfshirja e mundshme e Serbisë, gjë që është potencuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës deri më tash. Si e komentoni ju këtë?

Ehat Miftaraj: Është e kuptueshme që prokurorët, në këtë fazë, mund të jenë të kufizuar në dhënien e informacioneve të detajuara lidhur me aktakuzën. Por, besoj se në pyetje të përgjithshme – siç është kjo nëse në aktakuzë ka dëshmi që tregojnë përfshirjen direkte ose indirekte të Qeverisë së Republikës së Serbisë, të presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, apo të institucioneve ushtarake apo policore serbe – kryeprokurori do të mund të përgjigjej.

Në raste të tilla, a priten informacione të përditësuara në ditët apo në javët në vazhdim?

Ehat Miftaraj: Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, kjo aktakuzë, me siguri, është dërguar sot në gjykatë. Është obligim që të gjithë personave të pandehur, që kanë avokatë ose iu dihet adresa, t’iu dorëzohet kopja e aktakuzës. Pastaj, gjykata do të duhej të caktonte një shqyrtim fillestar, ku do të mund të publikoheshin më shumë të dhëna. Por, sidoqoftë, për aktakuzën – në këtë fazë, derisa nuk është publike – nuk mund të kemi më shumë informata, nëse prokuroria vetë nuk i ofron.

A prisni bashkëpunim nga Serbia?

Ehat Miftaraj: Unë besoj që kjo çështje është puro politike dhe ne e kemi parë që Serbia, deri më tani, ka pasur mungesë totale të vullnetit për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës edhe për vepra penale më pak të rëndësishme.

Në rastin konkret, nëse Serbia do të ofronte bashkëpunim, do të duhej që direkt ta njihte Republikën e Kosovës, në mënyrë që t’i fillonte procedurat e lidhjes së marrëveshjes për ekstradim, e cila do t’i hapte pastaj mundësi ekstradimit të personave të kërkuar në Kosovë.

Muajin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka refuzuar dhënien e disa informacioneve që i ka kërkuar Serbia. Sugjeroni që edhe pala e Kosovës të tregohet më bashkëpunuese?

Ehat Miftaraj: Republika e Kosovës, deri në këtë fazë, e ka pasur pothuajse të pamundur që të shkëmbejë informata me autoritetin në Serbi lidhur me këtë rast, sepse ka qenë rast nën hetim. Çdo ndarje e informatave me Serbinë do të mund të keqpërdorej dhe t’i pengonte hetimet në Kosovë.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Republika e Kosovës mund të ndajë informata me autoritetet në Serbi, të cilat nuk do ta pengojnë procedurën.

Sidoqoftë, po flasim për dy fusha, për dy kërkesa të bashkëpunimit totalisht të kundërta.

Përderisa Kosova ka kërkesë që Serbia të bashkëpunojë dhe t’i dorëzojë personat që dyshohen se kanë kryer sulm terrorist në Banjskë, Serbia kërkon informata nga autoritetet në Kosovë, për të cilat duhet të qartësojë se çka i nevojiten.

Në bazë të ligjit në Kosovë, vetëm Kosova ka autoritet për t’i hetuar, ndjekur dhe gjykuar personat që kanë kryer vepra penale në territorin e Kosovës. Kosova e ka pothuajse të pamundshme – në bazë të legjislacionit në fuqi – ta transferojë procedurën apo, në njëfarë mënyre, të lejojë që këtë rast ta hetojnë autoritetet në Serbi. /REL/