Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë së kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në takimin që do të mbajë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do duhej të diskutonte për deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për zbulimin e varrezave masive me shqiptarë të masakruar dhe vrarë gjatë luftës.
Miftaraj përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Lajçak do duhet të informonte kryeministrin Hoti se kjo çështje do të trajtohet në Bashkimin Evropian (BE).
“Kryeministri Hoti në takimin me Lajçak do ishte e udhës të diskutonte vetëm një pikë të rendit të ditës. Kërcënimet publike të Daçiq po bën lidhur me dëshmitarët në Serbi për zbulimin e varrezave masive me shqiptarë të masakruar dhe vrarë gjatë luftës. Besoj Lajçak do të duhej të informonte Hoti se ai personalisht është duke marr me këtë çështje dhe se e njëjta do të trajtohet nga Bashkimi Evropian, Këshilli I Bashkimit Evropian dhe Këshilli I Evropës për mohimin dhe fshehjen e varrezave nga shteti serb”, ka thënë ai.
Tutje Miftaraj tha se mohimi, fshehja dhe kërcënimi për të zbuluar varrezat masive me viktima të krimeve të luftës cënon vlerat dhe parimet mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
“Mohimi i krimeve të luftës, fshehja e krimeve të luftës, kërcënimi për të zbuluar varrezat masive me viktima të krimeve të luftës cenon vlerat dhe parimet mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, që janë baza dhe themeli i Bashkimit Evropian”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Ndryshe, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në një video të publikuar dëgjohet duke kërcënuar serbët nëse tregojnë se ku janë varrezat masive me shqiptarë të vrarë gjatë luftës. /Telegrafi/