Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se dështimet për të hartuar politika dhe ligje në pajtim me Kushtetutën, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po i kompenson duke e akuzuar, njollosur e sulmuar Gjykatën Kushtetuese.
Këtë deklarim Miftaraj e ka bërë pasi zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, fajësoi Kushtetuesen për vonesën në implementimin e shumë ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës. Sallahu i ka cilësuar si vonesa të tejzgjatura dhe të paarsyeshme të Gjykatës në vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjeve dhe akteve tjera të miratuara në Kuvend dhe sipas tij, kjo është cenim i drejtpërdrejt i demokracisë përfaqësuese dhe i funksionit kushtetues legjislativ të këtij institucioni kushtetues.
Por, Miftaraj në reagimin e tij ka thënë se prej vitit 2020 janë më shumë se tre vite të plota të LVV-së në pushtet, dhe “të vetmen ekspertizë që na e kanë dëshmuar është propaganda, vajtimi, mallkimi dhe diagnoza për secilin që nuk iu nënshtrohet ose edhe i kundërshton”.
“Na kanë lodh me vajtime e ankesa koti! Me iu thanë punoni najsen, ka kundër efekt, se edhe kur të punojnë e bojnë keq ose shumë keq”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, janë gjithsej pesë ligje të miratuara nga deputetët e Kuvendit të cilat janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ligji për Paga në sektorin publik, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si dhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, kanë përfunduar në Kushtetuese pas pretendimeve se janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Së fundmi në këtë institucion nga opozita është dërguar për vlerësimin e kushtetutshmërisë edhe Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. /Telegrafi/