Telegrafi

Mielli i Kosovës do të eksportohet në Libi

Së shpejti eksporti kosovar do të rritet edhe për mbi 30 milionë euro në vit, pasi që një prodhues i miellit ka gjetur partnerë në Libi.

Sigurimi i këtij eksporti do të krijojë edhe mbi 70 vende të reja pune, në fabrikën Universal Food.

Sasia e miellit që do të eksportohet drejt Libisë, është e konsiderueshme, thotë pronari i fabrikës në Fushë Kosovë, Ibrahim Aksoj. “Në fillim do të dërgojmë 10 mijë tonë në muaj, pra 120 mijë tonë në vit. Kjo ka me qenë kontratë 2-3 vjeçare”, tha ai.

Aksoj i cili e ka privatizuar fabrikën para 8 vitesh, thotë se eksporti drejt Libisë, do të krijojë edhe vende të reja pune. “Punëtorë teknikë kemi mjaft, por punëtorë të thjesht duhet me marrë për ngarkim shkarkim, të paktën 70-80 vetë”, ka treguar ky biznismen

Shuma e eksportit drejt Libisë, është fascinonte për kushtet e Kosovës. “34 milionë euro në vit do të eksportojmë miell, vetëm për Libi”, tregon ai përfitimet që do të jenë nga ky eksport

Blerësit nga ky vend i Afrikës veriore, nuk kanë vendosur të blejnë miell për hatër, thotë Aksoj. “Kanë ardhur, e kanë kontrollua kualitetin, e kanë kontrollua ambalazhimin, ata janë pak me teke. Nëse nuk je i zoti nuk marrin, për respekt nuk punojnë”, tha pronari i fabrikës së miellit Ibrahim Aksoj, për Radio Kosovën.

Sasia e parë e miellit drejt Libisë sipas pronarit, do të nisë gjatë këtij muaji. Ndryshe, Aksoj është afarist i lindur në Pejë, por ka jetuar e krijuar familje në Turqi. Thotë se është kthyer në Kosovë, nga dashuria për atdheun. /Telegrafi/