Microsoft është në bisedime për të përvetësuar TikTok, aplikacionin e videove në pronësi kineze, sipas një personi që është i njoftuar për diskutimet, pasi presidenti Donald Trump tha të premten se po mendonte të merrte hapa që do të ndalonin në mënyrë të efektshme aplikacionin në Shtetet e Bashkuara.
Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është e paqartë se sa të përparuara janë bisedimet midis Microsoft dhe TikTok, por çdo marrëveshje mund të ndihmojë në ndryshimin e pronësisë së TikTok, tha personi në fjalë, i cili foli në kushte anonimiteti.
TikTok është në pronësi të ByteDance, një kompani kineze e internetit, e cila vlerësohet rreth 100 miliardë dollarë.
Kjo ka rritur shqyrtimin e aplikacionit, me zyrtarët e administratës Trump duke thënë se ata kanë qenë të shqetësuar që TikTok paraqet një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Kështu, administrata Trump ka qenë duke “peshuar” nëse do të urdhërojë ByteDance të largohet nga asetet amerikane që ka fituar në vitin 2017, të cilat u shkrinë më vonë në TikTok.
Bloomberg raportoi të premten se Presidenti ishte i gatshëm të njoftojë një urdhër që do të detyrojë ByteDance të shesë operacionet e TikTok në SHBA.
Madje, Administrata Trump ka “peshuar” edhe veprime të tjera të mundshme kundër kompanisë, duke përfshirë futjen e ByteDance në “një listë”, nga e cila parandalohen kompanitë e huaja të blejnë produkte dhe shërbime amerikane pa licencë të veçantë, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.
Siç shkruan më tej NYT, përfaqësuesit nga TikTok nuk iu përgjigjën kërkesave për koment dhe një zëdhënës i Microsoft nuk pranoi të komentojë. /Telegrafi/