Site icon Telegrafi

Mickoski i zhgënyer me bankat për kredinë hungareze: Nuk prisja të jenë altruistë e as që do gjendemi në këtë situatë

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski nuk ka fshehur zhgënjimin pas paralajmërimeve se Qeveria është pajtuar që përmes buxhetit t`i subvencionojë shkallët e interesit të kredisë hungareze, duke pohuar se ka pritur që të gjitha palët të punojnë në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Sipas tij, rreziku është i dyanshëm dhe për bankat edhe për shtetin dhe duhej të ndahej.

“Nuk mund ta fsheh zhgënjimin, nuk prisja që bankat të jenë altruistë, por edhe se do të gjendemi në këtë situatë. Por, duhet të bëhemi gati që ta ndihmojmë biznesin. Ambienti I biznesit duhet të jetë më I shëndetshëm dhe si Qeveri do të bëjmë çmos për ta bërë më konkurruese, t`i rrisim investimet. Ende nuk kanë përfunduar negociatat, pres që të përafrohen qëndrimet me bankat”, tha Mickoski.

Qeveria pret që 250 milionë eurot e kredisë hungareze që janë destinuar për zhvillimin e sektorit të biznesit, t`u jepen firmave me 3.25% shkallë interesi, me tri vite grejs-periudhë dhe 12 vite afat shtesë për pagesë ose gjithsejt 15 vite.

Maqedonia e Veriut mori huamarrje nga Hungaria prej 500 milionë eurove. Gjysma e mjeteve janë për projekte infrastrukturore të komunave, kurse gjysma tjetër do të shkojnë si kredi për kompanitë.

Exit mobile version