Lideri i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, nëpërmes një video, kërkon nga qeveria që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të ndotjes së ajrit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai vlerësoi se gjendja me ndotjen e ajrit është alarmante dhe se po humben jetë njerëzish, ndërsa qeveria merr hapa të zbehtë si një maskë për të mbuluar paaftësinë.
“Është e nevojshme të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Qeveria të ndalojë me demagogjinë e zbrazët dhe ajo e ka detyrim të mbrojë shëndetin e qytetarëve përmes zbatimit të masave primare dhe sekondare të propozuara nga komuniteti shkencor”, tha Mickoski, duke shtuar se pasojat e dështimit të qeverisë me këtë problem, janë spitalet e mbushura me njerëz, fëmijë dhe të moshuar të cilët vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe shëndetit.
Kryetari i OBRM-PDUKM-së tha se institucionet duhet të fillojnë të merren me problemin në mënyrë të thelbësore, menjëherë dhe pa vonesa. Çdo ditë që kalon, thotë Mickoski, pa zgjidhur problemin, do të thotë shëndet të dëmtuar dhe jetë të humbur./Telegrafi/